TAV: Fluturimi i parë i Lufthansa nga Frankfurti zbriti në aeroportin e Shkupit

TAV: Fluturimi i parë i Lufthansa nga Frankfurti zbriti në aeroportin e Shkupit


Kompania ajrore që bart flamurin gjerman, Lufthansa, sot zyrtarisht ka hyrë në tregun e aviacionit maqedonas me hapjen e linjës së re të rregullt ajrore nga Frankfurti në Shkup dhe anasjelltas, njofton TAV Maqedoni.
Një avion Airbus A319 i Lufthansa zbriti në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar Shkup në orën 14:05 dhe u kthye për në Frankfurt në orën 14:55. Linja ajrore gjermane tani lidh kryeqytetin maqedonas me aeroportin kryesor në Frankfurt, duke ofruar fluturime shtatë ditë në javë (në disa ditë edhe nga dy fluturime në ditë) me avionë të llojeve të mëposhtme: Airbus A319, Airbus A320 dhe Airbus A320NEO.    

Avioni bardheblu u prit në platformën e Aeroportit Ndërkombëtar Shkup me një urë tradicionale ujore të aviacionit, të punuar nga ekipi zjarrfikës i TAV Maqedoni, pasuar nga ceremonia e prerjes së tortës për të shënuar destinacionin e ri dhe linjën e re ajrore, në të cilën përveç TAV dhe Lufthansa, ishin të pranishëm edhe Ambasadorja e Gjermanisë, Petra Drexler dhe Ministri i transportit dhe lidhjeve, Bllagoj Boçvarski.
“Lufthansa do të fluturojë në linjën Frankfurt-Shkup çdo ditë, shtatë ditë në javë dhe në disa ditë do të ketë dy rotacione në ditë. Aeroporti i Frankfurtit është aeroporti kryesor në qytetin e Frankfurtit dhe është porti kryesor ajror për Lufthansa dhe një nga aeroportet më të rëndësishme të transferimit në Evropë, që lidh pasagjerët në më shumë se 300 destinacione në mbarë botën. Frekuenca ditore e këtyre fluturimeve është një mundësi e shkëlqyer për udhëtarët tanë të shpeshtë në Gjermani, si dhe udhëtarët që do të përdornin Aeroportin e Frankfurtit si një aeroport transferimi për të arritur në Amerikën e Veriut ose destinacione të tjera të largëta në kontinente të tjera. Linja ajrore Frankfurt - Shkup i Lufthansa-së është e rëndësishme për diasporën maqedonase, për udhëtarët e biznesit, si dhe për ata që fluturojnë për arsye turistike dhe argëtim. Gjithashtu, kjo linjë do të ofrojë mundësi të reja për trafik ajror mallrash, duke pasur parasysh se Gjermania është partneri kryesor tregtar i Maqedonisë së Veriut. Jemi të sigurt se prania e Lufthansa do të shtojë vlerë shtesë për të gjithë pasagjerët nga Aeroporti Ndërkombëtar Shkup, për shërbimet e TAV Maqedoni, si dhe për të gjithë tregun maqedonas të aviacionit”, tha Metin Batak, Drejtor i përgjithshëm i TAV Maqedoni. 

Grupi Lufthansa është prezent në tregun maqedonas për disa dekada. Austrian Airlines fluturon midis Shkupit dhe Vjenës që nga viti 1996 dhe aktualisht ka 14 fluturime në javë në orarin e fluturimeve verore. 
Edelweiss, kompania tjetër motër e Swiss, e cila është pjesë e grupit Lufthansa, aktualisht fluturon midis Shkupit dhe Cyrihut katër herë në javë.
Duke përfshirë 10 fluturimet në javë që Lufthansa tani do të ketë nga Frankfurti në Shkup, Grupi Lufthansa do të ofrojë gjithsej 28 fluturime në javë nga Aeroporti Ndërkombëtar Shkup.  

“Nga sot, Lufthansa është linja e tretë ajrore nga grupi ynë dhe tani e tutje do të fluturojë çdo ditë drejt kryeqytetit Shkup. Linja ajrore gjermane Lufthansa është linja ajrore më e madhe në grup. Me më shumë se 100 mijë maqedonas që jetojnë në Gjermani, Frankfurti është me të vërtetë një destinacion shumë tërheqës për familjet dhe miqtë e tyre nga Maqedonia e Veriut. Si rezultat i kërkesës së lartë për fluturime drejt Gjermanisë dhe më gjerë, tani jemi në gjendje t'u ofrojmë pasagjerëve fluturime të rregullta drejt aeroportit tonë më të madh në Frankfurt, me avionë Airbus A319, Airbus A320 ose Airbus 320NEO. Çmimet e biletave vajtje-ardhje nga Shkupi në Frankfurt fillojnë nga 169 euro, dhe biletat mund të blihen në shumë agjenci udhëtimi ose në faqen e internetit lufthansa.com Nëse nuk e keni vizituar ende Frankfurtin, tani është shansi juaj për ta bërë këtë dhe fluturimi i cili zgjat 2,5 orë do t'ju çojë në zemër të Evropës Perëndimore. Frankfurti është një qendër globale për biznes, turizëm dhe kulturë dhe ofron një gamë të gjerë atraksionesh turistike dhe monumentesh, duke përfshirë ngjarjet dhe panairet kulturore botërore”, tha Peter Pullem, Drejtor i lartë i shitjeve të Grupit Lufthansa për Evropën Qendrore dhe Lindore, Rusi, Bashkisinë e shteteve të pavarura dhe Izraelit.    

TAV Maqedoni e mbylli tremujorin e parë të vitit 2023 (janar-mars) me 493.720 pasagjerë në dy aeroportet – Aeroporti Ndërkombëtar Shkup dhe Aeroporti Shën Apostulli Pal Ohër, që është një rritje prej 41 pikë përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022 dhe një rritje prej 3 për qind krahasuar me vitin 2019, i cili konsiderohet vit referencë në aviacion sepse ishte para krizës së Kovid-19. Në të njëjtën periudhë janar-mars 2023, numri i fluturimeve në dy aeroportet e Maqedonisë është 4.169, që është një rritje vjetore prej 39 pikë përqindje dhe 3 për qind krahasuar me vitin 2019.