TAV: Rimëkëmbje e fuqishme pas pandemisë - aeroportet në Shkup dhe Ohër përfunduan 9-mujorin me gjithsej 1.8 milionë pasagjerë

TAV: Rimëkëmbje e fuqishme pas pandemisë - aeroportet në Shkup dhe Ohër përfunduan 9-mujorin me gjithsej 1.8 milionë pasagjerë

Dy aeroportet maqedonase, Aeroporti Ndërkombëtar Shkup dhe Shën Apostulli Pal - Ohër, vunë në dukje një rikuperim të fortë të trafikut të pasagjerëve në 9 muajt e parë të vitit 2022, duke arritur gjithsej 1.8 milionë pasagjerë (1.811.168) dhe 14.823 fluturime, nga janari deri në fund të shtatorit.
 

 

Rimëkëmbja post-pandemike e trafikut ajror të pasagjerëve, e cila globalisht filloi në vitin 2021, u ndje fuqishëm në tregun maqedonas me fillimin e tremujorit të tretë të vitit 2022.

 

“Ne jemi të kënaqur me rimëkëmbjen e trafikut ajror si në aeroportin e Shkupit ashtu edhe në Ohër që ndodhi këtë vit. Kur vendet e BE-së, ku është përqendruar më shumë se 75% e trafikut ajror maqedonas, filluan gradualisht të heqin kufizimet e udhëtimit në lidhje me dokumentacionin Kovid-19 për udhëtarët me pasaporta maqedonase, rritja e trafikut ajror u ndje menjëherë. Në tremujorin e parë dhe të dytë ndërmorëm një projekt të madh investues – rehabilitimin e pistës në aeroportin e Shkupit. Pa mbyllur aeroportin dhe me një koordinim të mirë me kompanitë ajrore, arritëm të ruanim linjat ajrore ekzistuese. Një nxitës shtesë i rritjes së trafikut të pasagjerëve ishte rritja e konsiderueshme e fluturimeve sezonale në muajt e verës në të dy aeroportet e Shkupit dhe të Ohrit. Në përgjithësi, në 9-mujorin e vitit 2022 kemi një rritje prej 82% të trafikut të pasagjerëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, ndërsa krahasuar me 2019-ën, që e konsiderojmë si vit referencë në aviacion, apo vitin para Kovid-19, niveli i trafikut të pasagjerëve është - 12%. Si TAV do të vazhdojmë të punojmë në zgjerimin e rrjetit të linjave tona ajrore nga aeroporti Shkup dhe ai në Ohër, duke hapur destinacione të reja dhe duke tërhequr linja të reja ajrore që do të fillojnë të fluturojnë nga Maqedonia”, tha Metin Batak, Drejtor i përgjithshëm i TAV Maqedoni.   
 

 

Sipas statistikave të trafikut të pasagjerëve të TAV Maqedoni, destinacionet me trafikun më të madh nga aeroporti Shkup, nga janari deri në shtator, ishin: Stambolli (dy aeroportet IGA dhe Sabiha Gokçen me 13% të tregut); Vjena (6,3%); Cyrih (6,2%); Basel Mulhouse (6,2%); Antalia (5,4%); Mynih Memmingen (4,1%); Dortmund (3.8%); dhe Këln (3.1%).

 

Për sa i përket shpërndarjes së trafikut të pasagjerëve sipas vendeve, 5 vendet kryesore me fluturime direkte janë: Gjermania (23,7% e tregut); Turqia (20,1%); Zvicra (14,2%); Suedia (6,8%); dhe Austria (6.3%).

 

Sa i përket pjesëmarrjes së linjave ajrore në trafikun e pasagjerëve në aeroportin e Shkupit, Wizz Air ka transportuar numrin më të madh të pasagjerëve nga janari deri në shtator 2022 (58.2% pjesë e tregut); ndjekur nga Turkish Airlines (12%); Pegasus Airlines (6.4%); Austrian (6.3%); Chair Airlines (5%). 

 

Aeroportin e Ohrit, për 9 muajt e vitit 2022, destinacioni më i shpeshtë i udhëtimit është Vjena me 17.9% të tregut, e ndjekur nga Bazeli (15.4%), Cyrihu (13.9%), Malmö (10.3%), Memmingen (10.2%), Amsterdami (9.2%), Friedrichshafen (8.7%), Dortmundi (7.8%) dhe destinacionet e tjera kanë një pjesë tregu prej 1.4%.

 


 

Siç informojnë nga TAV Maqedoni, orari i fluturimeve dimërore 2022/2023 në dy aeroportet e Maqedonisë do të fillojë në fund të tetorit dhe sipas informacioneve të deritanishme nga kompanitë ajrore nuk do të ketë ndryshime të dukshme në numrin e destinacioneve.

 

“Fluturimet në linjën Shkup-Izmir, të cilat u nisën këtë verë si sezonale, do të vazhdojnë gjatë gjithë vitit dhe në këtë linjë fluturon Pegasus Airlines. Përveç kësaj, linja ajrore polake LOT, e cila pas Kovid-19 rifilloi fluturimet nga Shkupi në Varshavë në qershor të këtij viti, do të vazhdojë të fluturojë drejt kryeqytetit polak, i cili është një pikë e mirë transferimi në Amerikën e Veriut, ashtu si Stambolli dhe Vjena nga kryeqyteti maqedonas. Pothuajse të gjitha destinacionet që kishin dy aeroportet maqedonase para krizës së Kovid-19 tashmë janë kthyer, përveç linjave ajrore për në Doha dhe Dubai nga aeroporti i Shkupit. “TAV Maqedoni po punon për kthimin e këtyre dy destinacioneve, sepse ato ishin të mira për transferime për diasporën maqedonase në Australi dhe Zelandën e Re, si dhe lidhje për pasagjerët që udhëtonin në Japoni, Kinë, Indi dhe destinacione ekzotike në Lindje”, shpjegon Batak.

 

Linjat ajrore që u nisën në mes të pandemisë Kovid-19 në 2020 dhe 2021, Moska dhe Shën Petersburg nga Nordwind dhe për Kiev nga Windrose, u ndalën me fillimin e luftës Rusi-Ukrainë në tremujorin e parë të këtij viti. Një tjetër linjë ajrore që funksionoi vetëm për dy muaj këtë vit ishte linja Shkup - Sofje e linjës ajrore bullgare GullivAir, e cila filloi në mars dhe ndaloi në fund të majit.

 

Aktualisht, 15 linja ajrore fluturojnë nga Aeroporti Ndërkombëtar Shkup (Air Serbia, Austrian Airlines, Croatia Airlines, Edelweiss, Chair Airlines, Pegasus Airlines, Turkish Airlines, LOT, Aegean, Wizz Air, Easyjet, Corendon, Air Cairo, EnterAir, Sunxpress) gjithsej 43 destinacione të rregullta dhe 4 destinacione sezonale.

 

Nga aeroporti Shën Apostulli Pal në Ohër, 8 linja ajrore (Wizz Air, Edelweiss, Chair Airlines, TuiFly, LOT, Germania Flug, Arkia) fluturojnë në gjithsej 12 destinacione, duke përfshirë të rregulltat dhe ato sezonale.