TAV AERODROMET: Aeroporti Ndërkombëtar Shkup u pajis me “Niveli 3” - Akreditim për menaxhimin e emetimeve të karbonit në aeroporte

„Këto akreditime janë një konfirmim i qartë i përkushtimit të TAV Maqedoni ndaj menaxhimit të përgjegjshëm të mjedisit dhe zbatimit të praktikave më të mira ndërkombëtare në aviacionin e qëndrueshëm. Arritja e Nivelit 3 për Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit paraqet një përparim të rëndësishëm në përpjekjet tona për të zvogëluar ndikimin e karbonit dhe për të përmirësuar efikasitetin energjetik, me qëllim që të sigurohet një e ardhme e qëndrueshme për aviacionin maqedonas“, deklaroi Nexhat Kurt, Drejtor i përgjithshëm i TAV Maqedoni.
Certifikimi i “Nivelit 3” - paraqet konfirmim se aeroporti i Shkupit menaxhon në mënyrë efikase dhe i zvogëlon emetimet e tij të karbonit, ndërkohë që në të njëjtën kohë angazhon aktivisht edhe partnerët e tij në menaxhimin e emetimeve të karbonit.
Për të arritur këtë nivel, Aeroporti Ndërkombëtar Shkup zbatoi një sërë masash të rëndësishme, në të cilat përfshihet si vijon: implementimi i një programi për efikasitet energjetik dhe monitorim në përputhje me metodologjitë ndërkombëtare, përmirësime të sistemeve të ndriçimit të zonës publike dhe të aviacionit me instalime LED me efikasitet të lartë, vendosja e programeve për optimizim dhe përmirësim të performancës energjetike të sistemeve të ngrohjes, ventilimit dhe klimatizimit, vendosja e pajisjeve hibride aeroportuale dhe mbështetje në tranzicionin drejt një flote automjetesh miqësore me mjedisin, rritja e prodhimit dhe blerjes së energjisë së rinovueshme, iniciativa të përbashkëta me kompanitë ajrore dhe ofruesit e shërbimeve, si dhe krijimi i një platforme për palët e interesuara për veprim klimatik për ndarjen e të dhënave, monitorimin e performancës dhe koordinimin e planeve për reduktim.
„Arritja e Nivelit 3 në programin e akreditimit për menaxhimin e emetimeve të karbonit në aeroporte për më pak se një vit pas anëtarësimit në program është një pikë kthese e rëndësishme në rrugëtimin e dekarbonizimit të Aeroportit Ndërkombëtar Shkup. Me optimizimin e konsumit të energjisë, rritjen e përdorimit të pajisjeve elektrike aeroportuale dhe investimin në infrastrukturë për karikimin e automjeteve elektrike, aeroporti po vendos themelet për reduktimin afatgjatë të emetimeve të karbonit. Në Nivelin 3, aeroporti gjithashtu e zgjeron fushën e ndikimit të tij mbi emetimet e karbonit duke përfshirë edhe emetimet e palëve të treta, duke forcuar rrugën e tij drejt qëllimit për të arritur emetime neto-zero të karbonit deri në vitin 2050. Urime për të gjithë ekipin e TAV Aeroporte“, deklaroi Olivier Jankovec, Drejtor i përgjithshëm i ACI EUROPE.

Përmes kësaj arritjeje, Aeroporti Ndërkombëtar Shkup e forcon përkushtimin e tij ndaj përgjegjësisë afatgjatë klimatike dhe është në përputhje me qëllimet e TAV Aeroporte për arritjen e neutralitetit të karbonit deri në vitin 2030 dhe emetimeve neto-zero të karbonit deri në vitin 2050 në të gjitha aeroportet brenda grupacionit.
Akreditimi për menaxhimin e emetimeve të karbonit në aeroporte është programi i vetëm global i certifikimit, i miratuar institucionalisht, për menaxhimin e emetimeve të karbonit për aeroportet, i cili i ndihmon ato të menaxhojnë dhe të reduktojnë emetimet e tyre të karbonit në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ai vlerëson dhe njeh në mënyrë të pavarur përpjekjet e aeroporteve për menaxhimin dhe reduktimin e emetimeve të tyre të karbonit përmes 7 niveleve të certifikimit: „Niveli 1“, „Niveli 2“, „Niveli 3“, „Niveli 3+“, „Niveli 4“, „Niveli 4+“ dhe „Niveli 5“.
Këshilli ndërkombëtar i aeroporteve (Airport Council International – ACI) është një organizatë globale tregtare që përfaqëson aeroportet në mbarë botën dhe punon për përmirësimin e sigurisë, efikasitetit dhe qëndrueshmërisë në aviacion.