TAV Maqedoni dhuroi ushqime të gatuara për 110 persona të pastrehë në Pikën për të pastrehë të Kryqit të Kuq në Momin Potok

Si pjesë e strategjisë së saj për përgjegjësi shoqërore korporative, operatori aeroportual, degë e TAV Aeroporte dhe anëtare e grupacionit ADP, për të dytin vit radhazi e organizon këtë aktivitet humanitar „TAV Gatuan“.
Vazhdimisht synojmë t’u ndihmojmë kategorive të cenueshme të qytetarëve dhe të forcojmë solidaritetin në komunitet. Për të dytin vit radhazi e organizojmë aktivitetin humanitar „TAV Gatuan“, në bashkëpunim me kompaninë tonë motër BTA, përgjegjëse për ushqim dhe pije në aeroportin e Shkupit. Besojmë se shoqëria përparon kur kompanitë, institucionet dhe qytetarët veprojnë së bashku për qëllime humane. Bashkëpunimi me organizata si Kryqi i Kuq na mundëson që së bashku të krijojmë vlerë të vërtetë shoqërore dhe prandaj do të doja edhe një herë t’i falënderoj njerëzit nga Kryqi i Kuq i Qytetit të Shkupit dhe njerëzit nga Pika për të pastrehë në Momin Potok. Dëshiroj të vazhdojmë të bashkëpunojmë edhe në të ardhmen dhe së bashku të kontribuojmë për një të nesërme më të mirë për ata që kanë më së shumti nevojë, deklaroi Nexhat Kurt, Drejtor i përgjithshëm i TAV Maqedoni.

Kryqi i Kuq i Qytetit të Shkupit shpreh falënderim të sinqertë ndaj TAV Maqedoni për donacionin e një vakti të ngrohtë të dedikuar për të pastrehët që i shfrytëzojnë shërbimet në Pikën për të pastrehë të Kryqit të Kuq. Me këtë donacion, TAV Maqedoni edhe një herë e konfirmoi përgjegjësinë dhe humanizmin e saj shoqëror, duke kontribuar në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe trajtimin dinjitoz të kategorive më të cenueshme të qytetarëve. Qasja në një vakt të ngrohtë dhe të përgatitur rishtazi është një nevojë themelore njerëzore, por, për fat të keq, një pjesë e bashkëqytetarëve tanë çdo ditë përballet me këtë sfidë. Falë mbështetjes së kompanive me përgjegjësi shoqërore si TAV Maqedoni, Kryqi i Kuq arrin të sigurojë ndihmë dhe mbështetje të vazhdueshme për këta njerëz. Kryqi i Kuq i Qytetit të Shkupit e vlerëson lart bashkëpunimin shumëvjeçar me kompaninë dhe gatishmërinë e saj për të mbështetur aktivitete në komunitet, me ç’rast së bashku kontribuojmë për një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe më humane, deklaroi Suzana Tuneva Paunovska – sekretare e Kryqit të Kuq të Qytetit të Shkupit.

Siç informojnë nga TAV Maqedoni, në kuadër të të njëjtit aktivitet me përgjegjësi shoqërore „TAV Gatuan“, TAV Maqedoni dhe kompania e saj motër BTA, përgjegjëse për ushqim dhe pije në aeroportin e Shkupit, së bashku me Kryqin e Kuq, do të organizojnë edhe një donacion tjetër të ushqimit të gatuar për të pastrehët deri në fund të këtij viti.
