TAV Maqedoni: Rehabilitimi i pistës së aeroportit të Shkupit fillon më 28 mars, do të zgjasë 50 ditë pa mbyllur aeroportin dhe me ndikim minimal në trafikun ajror
Si TAV Maqedoni tashmë kishte shpallur në fillim të nëntorit të 2021, në kuadër të planit investues për zgjerimin dhe renovimin e aeroporteve të Maqedonisë, duke filluar nga 28 mars deri më 16 maj 2022, në një periudhë prej 50 ditësh, kompania do të bëjë rehabilitimin e pistës në Aeroportin Ndërkombëtar Shkup.
Për këtë, trafiku ajror në Aeroportin Ndërkombëtar Shkup, gjatë kësaj periudhe do të zhvillohet çdo ditë nga ora 17:00 e pasdites deri në ora 9:00 të mëngjesit.
E planifikuar në konsultim me të gjithë aktorët dhe palët e interesuara, puna ndërtimore rehabilituese do të kryhet pa mbyllur aeroportin dhe me ndikim minimal në trafikun ajror.
“-Rehabilitimi i pistës nënkupton që praktikisht do të rinovojmë shtresën e sipërme të asfaltit të pistës, pra gjatë kësaj periudhe ndërmjet orës 9:00 dhe orës 17:00, nga data 28 mars deri më 16 maj 2022 do të kryhen punimet ndërtimore në pistë. Çdo ditë, në periudhën e përmendur, një pjesë e gjatësisë totale të pistës do të rehabilitohet, në mënyrë që aeroporti të mbetet funksional, pra të mund të shërbejë normalisht fluturimet gjatë pjesës tjetër të ditës, nga ora 17: 00 deri në orën 21:00. Dua të theksoj këtë - Aeroporti i Shkupit nuk do të mbyllet gjatë rehabilitimit të pistës. Aeroporti do të jetë i hapur për pasagjerët 24/7, si gjithmonë. Si gjatë gjithë periudhës gjatë pandemisë me Kovid-19, këshillojmë pasagjerët që të mbërrijnë në aeroport 3-4 orë përpara orës së planifikuar të nisjes së fluturimit të tyre, të përgatitur me dokumentet e nevojshme për udhëtimin sipas masave kundër koronavirusit, në konsultim me kompaninë ajrore me të cilën udhëtojnë edhe me ambasadën e shtetit të huaj ku do të udhëtojnë”, tha Drejtori i përgjithshëm i TAV Maqedoni, Metin Batak.
Ai sqaron se TAV Maqedoni ka marrë vendim për rehabilitimin e pistës në Aeroportin e Shkupit në konsultim me të gjitha linjat ajrore që fluturojnë nga Aeroporti i Shkupit, si dhe me të gjitha palët e interesuara, përkatësisht Ministrinë e transportit dhe lidhjeve, Agjencinë e aviacionit civil, M-NAV, si dhe me të gjithë ofruesit e shërbimeve.
Qëllimi i TAV-it është të përfundojë punën ndërtimore të rehabilitimit me ndikim minimal në trafikun ajror.
Siç shpjegohet nga TAV Macedonia, kur ky lloj rehabilitimi apo rinovimi i pistës kryhet në një aeroport, ekzistojnë dy opsione - ose të mbyllet plotësisht aeroporti për trafik, për një periudhë të caktuar derisa po kryhen punimet ndërtimore, ose të pasohet një model me të cilin punimet e ndërtimit do të zhvillohen çdo ditë, në një periudhë të paracaktuar të ditës, ndërsa pjesën tjetër të ditës trafiku ajror do të zhvillohet normalisht.
“- Zgjodhëm opsionin e dytë, edhe pse mund të jetë më i vështirë për ne, por kemi dashur të mbajmë trafikun ajror të pandërprerë për të gjithë klientët - linjat ajrore dhe pasagjerët”, thonë nga TAV Maqedoni.
“Dëshiroj të falënderoj kompanitë ajrore dhe të gjitha institucionet qeveritare për bashkëpunimin e tyre të ngushtë gjatë planifikimit të këtij procesi në mënyrë që ai të ketë një ndikim minimal në trafikun ajror. Ne vazhdimisht punojmë së bashku me të gjitha palët e interesuara, në mënyrë që Aeroporti ndërkombëtar Shkup të jetë aeroporti më i mirë në rajon për sa i përket cilësisë së shërbimit dhe këto investime kontribuojnë në zhvillimin afatgjatë të aeroportit dhe trafikut ajror maqedonas”, tha Batak.
Pista në Aeroportin ndërkombëtar Shkup është 2950 metra e gjatë dhe 45 metra e gjerë. Rikonstruksioni i fundit i pistës në Aeroportin e Shkupit është bërë në vitin 1996, kur punimet ndërtimore janë kryer në një thellësi më të madhe të asfaltit se tani, kur do të rehabilitohet vetëm shtresa e sipërme, sipërfaqësore e asfaltit. Në atë kohë aeroporti ishte mbyllur për 2.5 muaj dhe i gjithë qarkullimi u transferua në aeroportin e Ohrit.
TAV Maqedoni këshillon pasagjerët që të ndjekin dhe kontrollojnë rregullisht faqet e internetit të linjave ajrore, për të parë përditësimet më të fundit të fluturimeve për destinacionin e tyre të preferuar nga Aeroporti Ndërkombëtar Shkup në periudhën nga 28 mars deri më 16 maj 2022.
Në faqen e internetit në Aeroportin ndërkombëtar Shkup, në rubrikën "Fluturime" (Arritje/Largime) të gjitha informacionet dhe ndryshimet e mundshme në orarin e fluturimeve të linjave ajrore përditësohen rregullisht dhe në kohë reale, ashtu siç i merr TAV Maqedoni.