TAV Maqedoni: Wizz Air hapi edhe një linjë tjetër të re ajrore nga aeroporti i Shkupit – Shtutgart

„Në bashkëpunim me Wizz Air dhe Qeverinë, si TAV Aeroporte jemi krenarë që do të mund t’u shërbejmë pasagjerëve në këtë linjë të re të rregullt ajrore nga Shkupi drejt Shtutgartit. Fluturimet e rregullta ndërmjet dy qyteteve do t’i plotësojnë nevojat e qytetarëve tanë, biznesmenëve dhe diasporës. Do të vazhdojmë të investojmë në modernizimin dhe përmirësimin e shërbimeve aeroportuale, duke ofruar përvojë përdoruesi me cilësi të lartë për të gjithë pasagjerët dhe duke promovuar vendin si destinacion tërheqës dhe qendër tranziti në rajon“, deklaroi Nexhat Kurt, Drejtor i përgjithshëm i TAV Maqedoni.
Kompania ajrore do të fluturojë nga Shkupi drejt Shtutgartit 3 herë në javë, çdo të hënë, të mërkurë dhe të premte. Gjatë orarit veror të fluturimeve të aeroportit të Shkupit, përkatësisht deri më 24 tetor, koha e nisjes nga Aeroporti Ndërkombëtar Shkup të hënën dhe të premten është ora 06:25, ndërsa koha e mbërritjes në Shtutgart është ora 11:10 sipas kohës lokale. Të mërkurën, pasagjerët do të nisen në orën 06:30 dhe do të ulen në orën 11:10 sipas kohës lokale.
Në sezonin dimëror, udhëtimet do të zhvillohen të hënën, të mërkurën dhe të premten, por të gjitha fluturimet me të njëjtat orare të nisjes dhe mbërritjes, përkatësisht ora 06:30 me 11:30 sipas kohës lokale.
Me shtimin e Shtutgartit në hartën e rrugëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit, Wizz Air ka gjithsej 9 rrugë drejt 9 qyteteve në Gjermani: Shtutgart, Berlin, Dortmund, Baden-Baden, Fridrihshafen, Hamburg, Frankfurt-Han, Mynih-Memingen dhe Nuremberg.

Shtutgarti është një nga destinacionet e rralla që ofron diçka për çdo shije. Me fluturimet direkte të rregullta nga Shkupi drejt Shtutgartit, adhuruesit e industrisë automobilistike tani do të mund t’i shohin nga afër selitë dhe muzetë e dy markave legjendare, Mercedes-Benz dhe Porsche, lokacione që tërheqin shumë vizitorë çdo vit.
Shtutgarti është një nga qytetet e rralla në Gjermani me vreshta që depërtojnë thellë në mjedisin urban, ndërsa festivali i tij i verës është i njohur në nivel kombëtar.
Përveç festivalit të verës, qyteti organizon edhe Kanstater Folksfest, festivalin e dytë më të madh në Gjermani pas Oktoberfest.
Monumentet kulturore më të njohura në qytet që vizitorët mund t’i shohin janë opera e Shtutgartit, teatri shtetëror dhe muzetë e shumtë dhe galeritë.
Ajo që e bën këtë qytet të veçantë është „U-ja e Gjelbër“, parqet e ndërlidhura në formën e shkronjës U që shtrihen nëpër qytet dhe i japin Shtutgartit një ekuilibër unik ndërmjet arkitekturës urbane dhe natyrës.
Linja e re e rregullt ajrore Shkup - Shtutgart nuk është vetëm një lidhje gjeografike, por një urë ndërmjet familjeve, miqve, ideve, bizneseve dhe fillimeve të reja. Për diasporën maqedonase, fluturimet direkte me 3 frekuenca në javë nënkuptojnë lidhje më të mirë dhe më pak kilometra larg shtëpisë.